Vizita e Kryeministrit Majko në Prishtinë, Speciale (15 Gusht 1999)
Kryeministri Majko ka mbërritur në paraditen e së premtes në bazën e trupave të KFOR-it në Prishtinë. Pas një ndalese pushuese në “Grand Hotel” vizita e parë e Majkos së bashku me një pjesë të kabinetit të tij do të ishte ajo familjare në shtëpinë e 23 vjeçares Laura Ismaili e cila është fejuar me vëllain e Kryeministrit, Altin Majko. Fqinjët e Laurës në lagjen Dardania janë mbledhur para pallatit për të pritur Kryeministrin Majko në dalje, të cilët shprehen se janë të gëzuar për këtë lidhje.
Pas dhënies së fjalës dhe kërkimit të dorës së Laurës, Kryeministri vazhdon axhendën me takime zyrtare. Në takimin me dekanët e fakulteteve Majko ka theksuar se një hap kryesor për ta nxjerrë këtë kult dije nga gremina që donte ta hidhte Serbia është që studentët tanë dhe ato kosovarë duhet të përdorin të njëjtat libra. Më tej i ka premtuar si ndihmë ardhjen e mjaft pedagogëve të dalë në pension të gatshëm për të punuar këtu.
Në takimin Majko-Qose, Qose e ka quajtur ardhjen e Majkos historike. Majko ka kërkuar hedhjen e idesë për përpunimin e një strategjie të re të politikës shqiptare dhe kontakte më të ngushta me Tiranën. Shqiptarët duhet të dinë të dëshmojnë që punojnë për qetësi e paqe ka thënë Majko. Më pas janë zhvilluar takime me Shefin e Misionit Amerikan, me Shefin e Zyrës së OSBE në Kosovë Dan Everts dhe me Ministrin e Informacionit Jakup Krasniqi, ku janë diskutuar ardhmëria e Kosovës dhe zgjidhja e pikës më të nxehtë, Mitrovica. Më pas është zhvilluar takimi me Rugovën në rezidencën e tij ku janë diskutuar hallka e pazgjidhur Mitrovicë dhe çeshtja e bashkëpunimit.
Majko dhe Rugova kanë dalë me një deklaratë për gazetarët. Më pas axhenda vazhdon me një konferencë për gazetarët dhe me botuesin e “Koha Ditore”Veton Surroi. Majko është shprehur se rimbledhja e delegacionit të Rambujesë do të bënte të mundur vazhdimësinë e
bashkëpunimit. Dalja në bulevard e Kryeministrit Majko është pritur mjaft mire dhe është shoqëruar në këmbë nga mjaft të rinj e familjarë, të cilët brohorisnin Majko, Majko.
Ideja më konkrete gjatë gjithë këtyre takimeve është hedhur nga vetë Majko për hapjen e një përfaqësie në Prishtinë, e cila do t’i shërbente mbajtjes së kontakteve mes Shqipërisë dhe Prishtinës. Kjo ide është hedhur gjatë takimit të fundit me Kryeministrin Thaçi i cili e ka mbështetur këtë ide. Kryeministri Majko ka kërkuar menaxhim të kujdesshëm të situatës në Mitrovicë dhe bashkëpunim më të fortë me autoritetet ndërkombëtare në Kosovë.
Të nesërmen Majko bëri një vizitë në familjen e Adem Jasharit në Prekazë, ku është ulur popullorshe. Më pas Majko me një pjesë e kabinetit të tij kanë vendosur lule në varrezat e fshatit ku prehen të rënët e luftës. Më pas Kryeministri përcillet për në Shqipëri nga banorët e Prekazit me breshëri armësh. Ky, një zakon nderimi./tvklan.al
Gazetare: Holta Zhiti