Vizita e kryeministrit Meta në disa institucione natën e Vitit të Ri – (1 Janar 2001)


Vizita e kryeministrit Meta në disa institucione natën e Vitit të Ri – (1 Janar 2001)

14:23 01/01/2001

Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Kryeministri shqiptar Ilir Meta, pak para se të festonte me familjen e tij, natën e ndërrimit të viteve, ka vizituar shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli”. I shoqëruar nga bashkëshortja dhe humoristi Agron Llakaj, kryeministri ka cilësuar vitin 2001, si më të mirë se ky që shkoi, për të gjithë shqiptarët. Ndërsa fëmijët jetim, e kanë pritur në sallën e ngrënies kryeministrin me gatimet e Vitit të Ri.

Këngë dhe valle në të cilën është përfshirë edhe kryeministri, i cili duket se tashmë është kthyer në mik të përhershëm të fëmijëve. Kryeministri Meta është zotuar për një të ardhme më të mirë, për të garantuar çdo gjë në mënyrë që këta fëmijë të mos ndjejnë asnjë mungesë.

Më pas kryeministri Meta i është drejtuar dispeçerisë së KESH-it, për t’u njohur me situatën energjetike, jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë. Madje Meta është interesuar dhe për një lagjja të Tiranës, tek e cila mungonte prej orësh energjia. Vizita e fundit zyrtare për vitin 2000 është kryer në Drejtorinë e Policisë Tiranë, ku kryeministri ka falënderuar punonjësit për punën e bërë dhe ka premtuar se autoriteti i policisë këtë vit do të rritet edhe më shumë. Ndërsa drejtori Ilirjan Zylyftari premton përmbushje të misionit fisnik të tyre./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti






Të ngjashme