Vizita e kryeministrit Meta në Gjermani – (18 Janar 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Kryeministri Ilir Meta dhe delegacioni që e shoqëron është pritur në Berlin nga kancelari i Gjermanisë Gerhard Shrëder.
Shqipëria është në rrugë të mbarë dhe duhet të vazhdojë të ecë në këtë rrugë, deklaroi Shrëder. Ai siguroi se e mbështet sigurinë në procesin e hapjes së negociatave për Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Asocimit në Bashkimin Europian. Në këtë proces, Shqipëria do të ketë vazhdimisht pranë Gjermaninë, deklaroi Shrëder.
Veç kësaj kancelari e siguroi Metën se Shqipëria do e mbështesë Shqipërinë në projektet konkrete, sidomos në fushën e energjisë, si dhe premtoi angazhim më të madh gjerman në ndërtimin e interkonjeksionit Elbasan-Podgoricë, projekt ky në kuadër të Paktit të Stabilitetit në Ballkan. Në përfundim të takimit kancelari Shrëder garantoi për mbështetjen gjermane për realizimin e projekteve të Paktit të Stabilitetit.
Kryeministri Ilir Meta:- “Konkluduam se niveli i marrëdhënieve të Shqipërisë dhe Gjermanisë është shumë i mirë dhe se bashkëpunimi ynë do të vazhdojë në mënyrë më intensive edhe në të ardhmen veçanërisht përsa i takon bashkëpunimit ekonomik dhe nxitjes së investimeve gjermane në Shqipëri. Gjithashtu Gjermania do të mbështesë Shqipërinë në aspiratat e saj për integrimin europian dh konkretisht për procesin e Stabilizim Asocimit”.
Edhe Ministri gjerman i Shtetit, në Ministrinë e Jashtme, Kristof Zepel, siguroi kryeministrin shqiptar Ilir Meta dhe delegacionin që ai kryeson, se Gjermania do të përpiqet që para samitit të Gotenborgut më anëtarët e BE, në përfundim të presidencës së Suedisë, të hidhet një hap i rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë në BE./tvklan.al