Vizita e Kryeministrit Meta në KESH – (15 Nëntor 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Fillon furtuna e kryeministrit Meta në institucionet problematike të shtetit shqiptar. Pas dorëheqjes së Drejtorit të Korporatës Energjitike Alfred Paloka, Kryeministri Ilir Meta dhe Ministri i Privatizimit dhe Ekonomise Zef Preçi, kanë prezantuar sot kreun e ri të KESH-it Prof.Dr. Fahrudin Hoxha.
Këshilli mbikqyres i KESH-it pasi ka analizuar situatën e rëndë elektro energjitike ka shkarkuar nga detyra Drejtorin Teknik Tajar Bregasi, atë të kontroll revizionit Fejzi Petroshati si dhe Drejtorin e Task Forc Latif Lalo. Kryeministri Meta ka folur ashpër për situatën dhe abuzimet ne KESH. Nuk e kuptoj, tha ai, se përballë gjendjes së krijuar Qeveria të alarmohej vetëm pesë ditë më parë.
Kryeministri Meta ka kërkuar nxjerrjen e përgjegjësive të plota sipas tij për këtë administrim të papërgjegjshëm.
Kryeministri Ilir Meta:- “Ne jemi të vendosur që të ecim përpara me transparencë maksimale, duke nxjerrë përgjegjësi dhe duke mos na ardhur keq për asnjë, për të cilin nuk i dhimset detyra e shtetit, e cila nuk është private por është publike. Unë dua të falenderoj shumë profesor Fahrudin Hoxhën, për pranimin që i bëri kërkesës time dhe të ministrit zotit Preçi, për këtë detyrë kaq të vështirë. Unë dua ti them se ka mbështetjen e padiskutueshme time dhe të qeverisë, për të bërë gjithë ndryshimet e duhura ne KESH, që nga Tirana deri në Vermosh e Konispol”.
Kjo Qeveri, tha me tej Meta, nuk ka ndërmend të mendoje vetëm se si do të hedhë këtë dimër, apo t’ja lërë peshqesh ndonjë Qeverie tjetër, por të hartojë strategji afatgjata e të qëndrueshme. Drejtori i ri i KESH, Fahrudin Hoxha ka siguruar se do të bëjë gjithshka të mundur për ndryshimin e situatës tepër të rëndë elektro energjitike të vendit./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego