Vizita e kryeministrit Meta në Turqi – (19 Tetor 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Kryeministri Meta është kthyer sot nga Ankaraja, ku është takuar me homologun turk Bulent Eçevit. Pas Stambollit ku mori pjesë në forumin e biznesit, për Paktin e Stabilitetit, Meta është pritur në kryeqytetin turk nga kryeministri Eçevit dhe shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë turke, Husein Kivrikoglu. Në këtë takim theksi është vënë në forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ushtarak mes Shqipërisë dhe Turqisë.
Sipas kryeministrit Meta do të bëhen të gjitha përpjekjet për të forcuar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe të sigurimit, ndërsa Eçevit theksoi, se ky bashkëpunim ushtarak turko-shqiptar, do të kontribuojë për të prishur një sërë konfliktesh të armatosura. Turqia ka dhënë për modernizimin e ushtrisë shqiptare 40 milion dollarë dhe mendon ta dyfishojë këtë shumë deri në vitin 2004.
Meta dhe Eçevit janë ndalur dhe në marrëdhëniet ekonomike, ky i fundit ka premtuar se kredia prej 10 milion dollarësh, që Eksi Bank, do të japë për biznesin shqiptar, do të rritet edhe më shumë. Ndërsa Meta u shpreh, se firmat turke që kanë ardhur në Shqipëri, kanë bërë një paraqitje të mirë dhe se është koha e përshtatshme dhe për kompani të tjera./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego