Vizita e Majkos në Portin e Durrësit (15 Gusht 1999)


Vizita e Majkos në Portin e Durrësit (15 Gusht 1999)

14:14 15/08/1999

Gjendja e acaruar në Portin e Durrësit mes drejtorit të tij Leonidha Gjermeni dhe pronarëve të anijeve të akostuara kanë rritur ndjeshëm tensionin dhe kanë acaruar marrëdhëniet mes dy palëve. Shtimi i kontrabandës nga zyrtarë të veçantë të Portit, detyruan Këshillin e Ministrave instalimin e trupave komando në Port. Prania e Komandove ka rritur rregullin dhe kontrollin brenda Portit.

Implikimi në paligjshmëri fillonte nga polici i thjeshtë deri tek doganierët dhe drejtuesit më të lartë të portit. Dy ditë më parë pronarët e disa anijeve i kanë dorëzuar Kryeministrit Majko një peticion ku akuzonin Drejtorin Gjermeni i cili i detyronte të paguanin 500 dollarë për ankorimin e çdo anije.

Nga ana e tij Kryeministri Majko pas njohjes me këtë peticion ia ka pëcjellë për hetim Prokurorisë së Përgjithshme. Prezenca e forcave komando ka ndihmuar për një rikthim të normalitetit. Përsëri sipas drejtuesve të këtyre trupave speciale të Ministrisë së Mbrojtjes ka paqartësia përsa i përket stafit të tyre, pasi në port komandot sa ruajnë rregullin nga ana e jashtme dhe nga ana tjetër ka policë apo të tjerë që duan të përfitojnë në mënyrë ilegale.

Për të nderuar punën e mirë të trupave komando sot paradite shkoi vetë Kryeministri Majko i shoqëruar nga zëvëndësministrat e Mbrojtjes dhe Rendit Publik. Majko takimet e tij i ka zhvilluar pa praninë e medias e interesuar shumë për rezultatet e kësaj vizite të beftë. Megjithatë mësohet se kryeministri u ka dhënë forcave komando dorë të lirë për çdo veprim të tyre dhe u ka kërkuar më shumë bashkëpunim me forcat e policisë.

Ndërsa drejtuesve të portit Majko u ka folur me një ton serioz dhe madje nervozues për punën e tyre duke kërkuar më shumë përgjegjësi. Majko pas takimeve në port u prononcua para gazetarëve.

Pandeli Majko: Erdha me një ndjenjë preokupimi por dhe me një ndjenjë kënaqësie për të falenderuar punën që ka bërë ushtria në Portin e Durrësit. Është një punë ende në hapat e para dhe është një mësim i madh për të gjitha retorikat antikorrupsion që po dëgjohen edhe nga ne politikanët, sepse ardhja e trupave komando në këto momente në Portin e Durrësit ishte leksioni më i qartë se si mund të luftohet korrupsioni me pak fjalë dhe pak më tepër punë. Sigurisht kjo vizitë e imja këtu nuk ka të bëjë vetëm me falenderimin e punës së lavdërueshme por ende në fillim të trupave komando këtu por për t’ju dhënë atyre një ndihme dhe përkrahje, për të nxitur bashkëpunimin midis institucioneve, sepse Porti i Durrësit aktualisht nuk është një Port që i takon vetëm Shqipërisë, është një Port që i takon strategjisë Rajonale dhe ne shpresojmë që në të ardhme të afërt duke e menaxhuar atë të realizojmë atë ëndërr që Porti i Durrësit të bëhet një nga portet më të rëndësishëm të Rajonit. Por e kam thënë dhe më parë me nivelin e menaxhimit që ekzistonte kjo edhe rrjedhojë e një trashëgimie të pasur negative të mëparshme, duke mos kthyer kokën mbrapa, tani të fillojmë të mendojmë se si duhet t’i kthejmë këtij Porti ato dimensione të cilat i kërkojnë në radhë të parë durrsakët dhe pastaj gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.

Gazetari: Sa do rrinë trupat komando këtu në Port?

Pandeli Majko: Trupat komando këtu do të rrinë, unë shpresoj të rrinë deri atëherë kur të gjithë të binden se të luftosh korrupsionin, kusht i vetëm dhe fillestar mbi të gjitha është të jesh i ndershëm dhe të zbatosh rregullin shtetëror. Pashë një situatë mjaft të qetë tepër të kontrolluar dhe përsa i përket momenteve të tjera do të jenë organet e drejtësisë që do të japin
përgjigjet përkatëse. Shpresoj që të kuptohet që Qeveria ka detyrë që çdo ankesë të qytetarëve qofshin këta pronarë ose jo e çon në organet përkatëse të cilat japin vendimet. Ne na takon të bëjmë pjesën tonë, pra t’ju garantojmë qytetarëve por sidomos tregtarëve që janë dimensionet e dhënies oksigjen shoqërisë sonë, një biznes sa më të qetë dhe sa më pak korrupsion. Sigurisht që këto s’bëhen në një ditë, në 24 orë, por këta djem treguan që çuditërisht mund t’i bëjnë gjërat edhe në 24 orë. Dhe fakti është që gjendja në Port ka ndryshuar me orë./tvklan.al

Gazetar: Eduart Frangaj






Të ngjashme