Vizita e Ministrit të Mbrojtjes Ilir Gjoni në Turqi – (4 Nëntor 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Për tre ditë me radhë Ministri i Mbrojtjes Ilir Gjoni, në krye të një delegacioni ushtarakësh të nivelit të lartë, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Republikën e Turqisë, me ftesë të homologut turk Sbahatin Çakmakoglu. Kjo vizitë vjen menjëherë pas vizitës së kryeministrit Meta në Turqi. Vizita nis me homazhe tek Mustafa Qemal Ataturku. Më pas një takim përshëndetës mes dy kryeministrave, në Ministrinë e Mbrojtjes turke.
Ministri Ilir Gjoni, në emër të qeverisë shqiptare, vlerësoi ndihmën që qeveria dhe forcat e armatosura, turke, kanë dhënë për ushtrinë shqiptare. Të dy vendet tona kontribuojnë së bashku në brigadën e Europës Juglindore është shprehur ministri turk i Mbrojtjes, Çakmakoglu. Shqipëria po integrohet në paktin e Atlantikut dhe po merr pjesë në programin e partneritetit për paqe.
Në ditën e dytë të vizitës, Ministri i Mbrojtjes Gjoni është takuar me shefin e shtabit të ushtrisë turke, gjeneral Husein Tirikoglu, takim në të cilën u nënshkruan dy marrëveshje për ushtrinë shqiptare. Më pas një vizitë e shkurtër në qendrën spitalore Gata, e njohur për shërbime shëndetësore edhe në vendin tonë. Ministri Gjoni në emër edhe të Presidentit Mejdani u dorëzoi drejtuesve medaljen e Artë të Shqiponjës./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti