Vizitat e qeveritarëve për festën e pashkëve në Kishën Ortodokse Autoqefale (11 Prill 1999)


Vizitat e qeveritarëve për festën e pashkëve në Kishën Ortodokse Autoqefale (11 Prill 1999)

12:55 11/04/1999

Kisha Ortodokse Autoqefale në ditën e Pashkëve ka pritur mjaft figura politike duke i uruar njëri- tjetrit Pashkët. I pari që solli mesazh në këtë Kishë është Kryeministri Majko me kabinetin e tij ku nga Kryepeshkopi Anastas është dhënë mesazhi i bashkëekzistencës i cili ka theksuar se Shqipëria e vogël përveç këtij mesazhi duhet të japë edhe atë të kooperimit vëllazëror. Kryeministri në dalje jep dhe urimin e tij për këtë festë:

Pandeli Majko: Në këto momente ne po përjetojmë jo vetëm atë që thuhet Krishti u Ngjall por ne po ringjallemi si komb. Dikush dëshiroi edhe në emër të fesë ortodokse, pra e kam fjalën për serbët, të na bënte të ndjeheshim keq si komb. Ne e treguam të kundërtën dhe për më tepër ajo që po ofron Kisha Ortodokse Shqiptare është një shembull se serbët kanë humbur tanimë mjaft të drejta për të folur në emër të historisë bile dhe në emër të religjionit.

Për të uruar festën ka ardhur edhe Presidenti Mejdani. Në ato pak momente të qëndrimit të tij ai ka shprehur urimin për këtë festë. Më pas Kisha Ortodokse është vizituar nga Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha dhe deputetë demokratë.

Sali Berisha: “Uroj këtë ditë që sakrifica e shqiptarëve të jetë një sakrificë në shërbim të një të ardhme të ndritur që ata meritojnë.

Të gjitha bisedat flisnin për situatën dhe të ardhurit kosovarë. Kryepeshkopi Janullatos u shpreh për të ardhurit kosovarë se në fillim të gjithë kanë treguar interes për ta por ajo çfarë do të ndodhë më vonë është se ne duhet të punojmë për prespektivën për t’i dërguar në shtëpitë e tyre ata./tvklan.al

Gazetare : Holta Zhiti






Të ngjashme