Vjedhja e vilave me dronë, shkatërrohet banda e shqiptarëve
Policia Greke ka asgjësuar një bandë hajdutësh, e cila vepronte për më shumë se 6 vjet në ishullin e Korfuzit.
Mësohet se policia ka arrestuar tre shtetas shqiptarë mes të cilëve edhe kreu i bandës, si dhe dy shtetas grekë. Banda vidhte vila qytetarësh të pasur dhe nga aktiviteti kriminal janë përfituar para me vlerë 700.000 euro si dhe sasi mjaft të mëdha bizhuterish e sende të tjera të çmuara, mes të cilëve edhe një pllakë floriri.
Një shtetas grek, nëpunës banke, e informonte bandën mbi gjendjen ekonomike të “viktimave”. Pastaj organizohej mbikëqyrja e vilave dhe lëvizjeve të pronarëve të tyre, duke përdorur madje edhe drona me kamera.
Nga vjedhjet më të bujshme që ka verifikuar policia, është ajo e Qershorit 2015, kur kishin marrë nga një vilë 195.000 euro, si dhe në Shtator 2016, në një vilë në rrethinat e Korfuzit, prej nga dolën me 408.000 euro dhe një numër të konsiderueshëm dollarësh dhe frangash zvicerane.
Policia ka identifikuar edhe katër pjesëtarë të tjerë të bandës, që janë shpallur persona në kërkim. Tre prej tyre janë grekë dhe njeri shqiptar./tvklan.al