Vlahutin i dorëzon Presidentit Meta rekomandimin e KE për negociatat
Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin i ka dorëzuar Presidentit Ilir Meta rekomandimin e Komisionit Evropian për çeljen e negociatave me Shqipërinë.
Presidenti Meta mirëpriti rekomandimin, duke e cilësuar një akt inkurajues, të shumëpritur dhe strategjik për të ardhmen evropiane të vendit. Presidenti e vlerësoi Komisionin si një mik të çmuar e të pakursyer të vendeve kandidate, duke u vetëdëshmuar një forcë e madhe tërheqëse drejt zgjerimit të mëtejshëm të BE-së. Duke e konsideruar raportin e progresit për Shqipërinë në harmoni të plotë me strategjinë e zgjerimit që synonte një perspektivë të besueshme dhe angazhim të thelluar të BE-së në Ballkanin Perëndimor, kreu i shtetit theksoi rëndësinë që ka miratimi i kësaj qasjeje dhe rekomandimit të Komisionit nga Këshilli Evropian i qershorit, për të nisur etapën e re të procesit të negociatave të anëtarësimit./tvklan.al