Rama: Vendimi i KE konfirmim për reformat. Basha: rezultat i kontributit të PD
Pas rekomandimit të kushtëzuar dhënë nga Komisioni Europian për Shqipërinë, Ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin dhe Kryeministri Edi Rama kanë dalë në një konferencë për mediat.
Vlahutin, teksa i ka dorëzuar Ramës progres-raportin është shprehur se Shqipëria e meriton këtë rekomandim pasi ka treguar progres, ndërsa ka shtuar se duhet të vijojë zbatimi i Reformës në Drejtësi. Përtej zbatimit të përpjekjeve për reformën në drejtësi, Vlahutin shtoi më tej se duhet të ketë edhe përpjekje të tjera sa i përket luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Gjithashtu ajo ka përgëzuar popullin shqiptar për këtë arritje të madhe. Kryeministri Rama nga ana tjetër tha se Shqipëria pas marrjes së këtij rekomandimi pozitiv do të bëjë çmos për të zbatuar çdo reformë në sistemin e drejtësisë.“Axhenda e re reformiste e Aleancës për Shqipërinë Europiane i hapi rrugë Shqipërisë drejt BE-së. Shqipëria sapo ka marrë rekomandimin e KE për çeljen e negociatave.
Axhenda jonë e reformimit është një betejë e paepur për të çuar përpara reforma rrënjësore.
KE e ka vlerësuar aq pozitivisht progresin e bërë përmes reformave në çdo fushë, duke çelur dritën jeshile për Shqipërinë.
Është premise që kjo qeveri i ka vënë vetes në rrugën drejt Shqipërisë europiane. Do të vijojë puna për zbatimin e reformës në drejtësi dhe vetting -un. Integrimi është e vetmja rrugë për të bërë shtet."
Sa i përket ligjit të Vetting -ut, Rama tha se PD e bllokoi këtë ligj me kërkesa të turpshme, megjithatë ai ashtu si të gjithë shqiptarëve edhe opozitës i ka shtrirë dorën për bashkëpunim, pasi siç tha ai, kjo është një pikënisje e re plot shpresa dhe detyra të reja.“Do të bëjmë çmos për të realizuar jo vetëm ligjin e Vetting -ut, por çdo ligj sa i përket Reformës në Drejtësi.
Të shtrijmë më shumë dorën e bashkëpunimit për ta bërë Shqipërinë sa më të sukseshme në rrugën e re plot ambicie, natyrisht dhe për opozitën dora është e shtrirë për bashkëpunim.”
Basha: PD, partia që do të hapë negociatat me BE-në Por nga ana tjetër, Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vlerësuar progres raportin për Shqipërinë, ku theksoi se do të jetë Partia Demokratike që pas zgjedhjeve të ardhshme do të hapë negociatat me Bashkimin Europian. “Hapja e negociatave do të jetë fillimi i një rruge të gjatë e të vështirë por të sigurt e të pakthyeshme të vendit tonë. Sot ka një dritë shprese për gjithë shqiptarët që e duan Shqipërinë si gjithë Europa. Sfida mbetet ajo e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Sfidë po kaq e madhe, mbetet lufta kundër krimit, korrupsionit, fusha që Shqipëria nuk ka bërë para. Dua të siguroj qytetarët se PD, do të jetë po kështu partia që do të hapë negociatat me BE, do të nisë këtë proces për ëndrrën tonë europaine dhe përmes bashkimit të të gjithë shqiptarëve që duan një qeveri të kontrolluar nga qytetarët dhe jo nga krimi, ne do ia dalim
”, tha Basha./tvklan.al