
Vllaznia drejt privatizimit me ankand
Bashkia Shkodër vendos të privatizojë klubin Vllaznia përmes shitjes në ankand të aksioneve.
Sipas një dokumenti të siguruar nga TV Klan, bashkia që është edhe pronare me 100% të aksioneve të Klubit të Futbollit Vllaznia sh.a. kërkon të angazhojë një kompani vlerësimi të aseteve për të kuptuar vlerën reale të klubit në mënyrë që më pas të nisë procedurën e nxjerrjes në ankand të aksioneve. Klubi i Futbollit Vllaznia është themeluar si shoqëri aksionare me gusht të 2011 dhe sot zotëron një kapital prej më shumë se 3.2 milionë dollarësh. Por investimet e bashkisë deri më sot nuk kanë sjellë frytet e dëshiruara, për shkak të keqmenaxhimit, sikurse thuhet në dokumentin e lëshuar nga vetë bashkia, në të cilin raportohet edhe borxhi i akumuluar vetëm vitin e fundit, është 3 milion dollarë, aq sa vlera e kapitalit të tij. Siç shihet edhe në tabelë, në vitin e fundit të ardhurat e klubit kanë qenë tejet modeste teksa zëri që ka sjellë më shumë është ai i të ardhurave nga e drejta televizive e transmetimit.