Vllaznia qëndron në krye të Superligës
Kukësi ngjitet në vendin e dytë, ndërsa Partizani barazon me Teutën
Vllaznia vijon të jetë në krye të Superligës edhe pas javës së shtatë. Skuadra shkodrane fitoi 3-0 me Kastriotin, duke shkuar në kuotën e 16 pikëve.
Kjo është humbja e parë sezonale për ekipin krutan. Në ndjekje të Vllaznisë është Kukësi që arriti suksesin e katërt radhazi, duke u ngjitur në vendin e dytë.
Ekipi i Skënder Gegës fitoi 3-0 ndaj Bylisit në Ballsh. Mallakastriotët që ende nuk kanë festuar një triumf këtë sezon zbritën në fund të renditjes. Partizani- Teuta u mbyll pa gola.
Durrsakët patën mundësinë më të mirë për të shënuar, por penalltia e goditur nga Emiljano Vila u prit nga Alban Hoxha. Ky ishte barazimi i pestë radhazi për Teutën.
Tirana u kthye te fitorja, madje duke e arritur në fushën e Laçit. 1 – 0 përfundoi ndeshja me kurbinasit falë golit të realizuar nga kapiteni i bardhebluve, Idriz Batha.
Më parë Nwabueze kishte humbur një penallti të pritur nga Visar Bekaj. Apolonia mori fitoren e parë në këtë kampionat, 1-0 me Skënderbeun.
Tv Klan