Vodhën kasafortën e hotelit, gjykata lë në burg dy të akuzuarit
Gjykata e Tiranës vendosi të lërë në burg, Zenel Damën e Eduart Ngotën, dy të arrestuarit për vjedhjen e një kasaforte me bizhuteri me vlerë të konsiderueshme nga një hotel në rrugën e Dibrës.
Të dy personat u paraqitën këtë të shtunë përpara Gjykatës së Tiranës, ndërsa prokuroria kërkoi masën e sigurisë burg pa afat për ta.
E njëjta masë në mungesë u vendos edhe për Rajmonda Bruçin, motrën e Eduart Ngotës. Kjo e fundit punonte si pastruese në hotel dhe akuzohet se ka informuar të vëllain dhe shokun e tij, për vendndodhjen e kasafortës me ora të shtrenjta dhe 9500 euro.
Dy personat u arrestuan nga policia një ditë pas krimit, ndërsa iu bllokuan një sasi parash, disa ora e bizhuteri. Policia ka shpallur në kërkim pastruesen e hotelit Rajmonda Bruçin. /Tv Klan