Vodhi besimtarin në xhami, gjykata e dënon me 4 vjet burg
Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë 4 vjet e 6 muaj burg për personin e akuzuar nga Prokuroria për “vjedhje me pasoja të rënda”, shtetasin Tom Ndoja.
Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se gjatë procesit të faljes në një xhami të Tiranës, ai i ka vjedhur një besimtari tjetër çantën e dorës, në të cilën gjendeshin edhe 10 mijë euro.
Në materialin e Prokurorisë së Tiranë ,thuhet se i pandehuri ka shfrytëzuar faktin se besimtarët ishin duke kryer ritet fetare dhe ka përfituar nga mirëbesimi ndërmjet tyre, duke vjedhur vlerën e konsiderueshme monetare.
Pas vjedhjes, i pandehuri është larguar, ndërkohë që është pikasur dhe është kapur disa ditë më pas nga një tjetër besimtar i xhamisë, i cili më pas ka njoftuar policinë për të realizuar arrestimin e tij.
Gjatë hetimit dhe në procesin e gjykimit, i pandehuri ka mbajtur qëndrim të dyshimtë. Ai ka deklaruar se ka pasur si qëllim që të vidhte çantën dhe nuk e ka ditur që brenda saj gjendej edhe shuma e parave.
Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës ka siguruar edhe të dhëna të tjera mbi personalitetin e të pandehurit. Nga këto, ka rezultuar se ai është dënuar më parë për “dhunë në familje” ndaj bashkëshortes së tij, si edhe rezulton që ka vjedhur shuma të ndryshme parash, përfshirë vlerat monetare të nënës, tezes dhe personave të tjerë familjarë./tvklan.al