Von der Leyen: BE të shpëtojë sa më parë nga gazi dhe nafta
“Rritja e çmimeve, arsyeja pse kërkojmë pavarësi energjitike”
Kriza e çmimeve të energjisë është një motiv më shumë për Bashkimin Europian për t’u shkëputur nga burimet fosile. Duke folur gjatë një samiti virtual për burimet e rinovueshme të energjisë, von der Leyen tha se për Bashkimin Europian është jetike, pavarësia nga gazi dhe nafta.
“Në këto javët e fundit, po e shohin sa thelbësore është pavarësia nga gazi, nafta apo qymyri. Prodhuesit e gazit nuk po rrisin prodhimin pavarësisht kërkesës së lartë dhe kjo ka çuar në dyfishim të çmimit. Ndërsa çmimi i energjisë së rinovueshme mbetet i qëndrueshëm”.
Nga fillimi i vitit, çmimi i gazit është rritur 400% në tregun europian, teksa Rusia nuk pranon të rrisë furnizimin, teksa kërkon nënshkrimin e kontratave afatgjata me Bashkimin Europian.
Analistët thonë se Putin po redukton transportin e gazit nga tubacionet që kalojnë nga Bjellorusia, duke ushtruar presion që perëndimi të pranojë gazsjellësin e sapondërtuar Nord Stream II, që transporton gazin rus nga deti Balltik drejt Gjermanisë. Por për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë perëndimorë, ky tubacion shton fitimet për Rusinë dhe nxjerr jashtë loje Ukrainën si faktor në furnizimin e tregut europian.
Tv Klan