Vorë, atentat me eksploziv


Vorë, atentat me eksploziv

17:18 27/02/2014 klan shperthimiKjo është pamja e shpërthimit me eksploziv që pasditen e sotme tronditi qendrën e  Vorës.

Një automjet u hodh në erë me shpërthim të telekomanduar, duke lënë të vdekur në vend drejtuesin e makinës, Baki Xhabafti rreth 40 vjeç, pronar i një servisi në Vorë dhe dy bizneseve në Selitë të Tiranës.

Shpërthimi ndodhi pak minuta pasi Xhabafti kishte hipur në automjetin e tij që ndodhej i parkuar para bashkisë së Vorës. Dëshmitarë në vendngjarje thanë se makina ishte në lëvizje kur shpërtheu në flakë.

Kjo është fotoja kur automjeti është përfshirë nga flakët, marrë nga nje video e filmuar nga një i ri nga Vora dhe e postuar më pas në profilin e tij në Facebook.

Nga të dhënat paraprake mësohet se lënda eksplozive ishte vendosur poshtë automjetit, i cili u shpërbë thuajse tërësisht. Për kryerjen e këtij atentati autorët dyshohet se kanë përdorur një sasi të konsiderueshme eksplozivi me qëllim ekzekutimin e sigurtë të biznesmenit.

Pas shuarjes së flakëve u pa se makinës i kishte mbetur vetëm skeleti. Në vendngjarje  shkuan forca të shumta policie të cilat bënë rrethimin e zonës në një perimetër të gjerë, duke e bërë të vështirë filmimin e automjetit nga mediat.

Sipas policisë, pista kryesore e hetimeve është ajo e konflikteve për shkak të hasmërisë, por nuk përjashtohen edhe konfliktet për trafiqet e drogës, ku Xhabafti dyshohet se ka qenë i përfshirë. Në njoftimin e policisë së kryeqytetit thuhet se ekspertët hetimorë në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të  Rënda kanë bërë administrimin e provave dhe po punojnë për zbardhjen e kësaj ngjarje. Në Drejtorinë e Policisë së Tiranës janë shoqëruar miq dhe familjarë të viktimës, të cilët kanë deklaruar se Xhabafti kishte shkuar te një i afërm i tij në Vorë.





Të ngjashme