Votohet liberalizimi i vizave për Kosovën


Votohet liberalizimi i vizave për Kosovën

18:10 05/09/2016

Eurodeputetët e Komisionit për të Drejtat Civile, Liritë dhe Çështjet e Brendshme të Parlamentit Europian u treguan shumë të përçarë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Propozimi kaloi vetëm për një votë më shumë, me një rezultat të ngushtë prej 25 votave pro, 24 kundër dhe 2 abstenime.

Para dhe gjatë seancës në këtë komision parlamentar ka patur presion që të shyhej ky votim, por Raportuesja për Liberalizimin e Vizave për Kosovën në Parlamentit Evropian, Tanja Fajon, ka kërkuar me insistim votimin.

Në fjalën e saj, zonja Fajon, u kërkoi kolegëve të saj të përkrahin Kosovën, ndërsa u bëri thirrje liderëve kosovarë të përmbushin kriteret e vëna nga Bashkimi Europian.

Në përfundim të votimit, Raportuesja Tanja Fajon dhe Raportuesja në hije, Ulrike Lunacek e kanë konsideruar votimin një lajm të mirë për Kosovën, duke u bërë thirrje autoriteteve të Kosovës të plotësojnë kushtet e mbetura.

Gjatë seancës duke iu përgjigjur shqetësimit të eurodeputetëve që janë kundër dhënies së dritës jeshile pa plotësimin e të gjitha kushteve, është nënvizuar se edhe nëse shtetet anëtare do të votonin pro liberalizimit të vizave për Kosovën, gjithsesi vendimi nuk do të hynte në fuqi derisa të gjitha kriteret të përmbushen, kritere që kanë të bëjnë  konkretisht me Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi dhe luftën kundër korrupsionit.

Tv Klan






Të ngjashme