“Vrasësi i dasmës”, hap zjarr në mes të ceremonisë (video)
Parkoi makinën para kishës dhe pasi u fut brenda akuzoi babë e bir, se i kishin vrarë djalin, përpara se të hapte zjarr në mes të turmës.
Ngjarja e pazakontë ndodhi në Brazil, teksa një çift ishte nisur drejt altarit për t’u kurorëzuar në martesë. Umberto Ferreira dos San, i njohur me nofkën Betinho nxorri armën nga brezi dhe hapi zjarr ndaj të pranishmëve në kishën Limoeiro de Anadia. Ai planifikonte që të vriste babë e bir, që ishin dëshmitarë në ceremoninë në fjalë, për t’u hakmarrë për vdekjen e të birit. Videoja e përcjellë nga “DailyMail” tregon momentin kur burri ecën pas çifti dhe me të mbërritur në vendin ku ishin ulur dëshmitarët, nxjerr armën dhe nis të qëllojë duke krijuar panik. Tre persona mbetën të plagosur nga kjo ngjarje e rëndë, të cilët fatmirësisht arritën të shpëtonin. Sipas mediave lokale, policia beson se Dos Santos donte të hakmerrej për vrasjen e të birit, pasi njëri prej personave në shënjestrën e tij, ishte cituar si i dyshuar kryesor. Pas ngjarjes në fjalë Dos Santos u largua me makinën e tij dhe mbetet ende në arrati./tvklan.al