Vrasësi i John Lennon kërkon falje: E bëra për famë
Mark Chapman, i cili njihet si vrasësi i këngëtarit John Lennon, ka kërkuar falje për krimin e bërë 40 vite më parë. Chapman i ka kërkuar falje të vesë së muzikantit, duke thënë se është penduar për krimin e bërë, në seancën që kërkoi lirimin me kusht.
“Jam penduar për krimin që kam kryer. Nuk kam justifikim. E bëra për famë. Mendoj se krimi më i keq i mundshëm është që të vrasësh dikë të pafajshëm.
Ai ishte njeri familjar, ishte ikonë, ishte jashtëzakonisht i famshëm. Unë e vrava sepse ishte shumë, shumë, shumë, shumë i famshëm dhe unë kërkoja lavdi personale”, është shprehur ai.
Më tej ai u shpreh se është shumë i vetëdijshëm për dhimbjen që i ka shkaktuar familjarëve të muzikantit dhe shtoi se mendon gjithë kohës për këtë gjë. Por edhe pse ai u shfaq i penduar gjykata nuk vendosi në favor të tij dhe ai nuk fitoi lirinë me kusht.
Vrasja e John Lennon ka ndodhur 40 vite më parë, ku Chapman qëlloi 4 herë me armë zjarri anëtarin The Beatles në Manhatan./tvklan.al