Vrasësi shqiptar arrestohet pas 19 vitesh në arrati
Pas 19 vitesh në arrati, policia italiane ka vënë në pranga 44 – vjeçarin Arben Dodaj, i dënuar më 22 vite burg nga drejtësia shqiptare për vrasjen e një tjetër shqiptari në vitin 1997.
Dodaj u arrestua në Monza, qytet ku jetonte prej vitesh bashkë me gruan dhe dy fëmijët. Vrasësi shqiptar kishte arritur të humbte gjurmët edhe pse kërkohej në të gjithë Europën. Autoritetet italiane njoftuan se ai ka përdorur disa identitete të rreme. Përpara se të kapej, Dodaj përdorte emrin Hekuran Çelaj, siç shihet edhe në këtë pasaportë shqiptare false. Nga frika se mos identifikohej, shqiptari nuk kishte njohur as dy fëmijët e tij, 5 dhe 8 vjeç. Sipas mediave italiane, bashkëshortja e Arben Dodajt, nuk e kishte përcaktuar atësinë e fëmijëve në çertifikatat e lindjes. Një detaj i tillë ngjalli dyshimet e karabinierëve të cilët vunë në përgjim gruan dhe pas survejimit nga afër të familjes shqiptare, ranë në gjurmët e 44-vjeçarit i cili përfundoi në pranga. Arben Dodaj nuk kishte rënë në sy asnjëherë gjatë gjithë këtyre viteve. Tv Klan