“Vrasësit janë akoma në Beograd”, Rama i përgjigjet ministrit të Serbisë


“Vrasësit janë akoma në Beograd”, Rama i përgjigjet ministrit të Serbisë

13:50 04/10/2020

Një ditë pas deklaratave të ministrit serb të Mbrojtjes dhe replikave në distancë me Kryeministrin Edi Rama, ky i fundit ka reaguar edhe sot duke i konsideruar të papranueshme.

Gjatë konferenceës për shtyp ditën e sotme me gazetarët nga selia e PS, Kryeministri Rama tha se marrëveshjes Kosovë-Shqipëri nuk mund të pengohen nga Serbia.

“Unë jam neveritur dje kur kam kuptuar që deklarata e këtij zotërisë nuk ishte meme sepse në momentin e parë thashë është një meme, se s’ka mundësi që një anëtar qeverie i një vendi me të cilin ne po përpiqemi të ndërtojmë marrëdhënie sa më të mira bashkëpunimi, në vitin 2020 të jetë një gojë kaq e shthurrur dhe një mendje kaq e errët. Por pastaj kuptova që nuk ishte meme. Serbia nuk mundet të hapi gojën për çfarë dhe për si dhe sa shpejt biem dakord ne me Kosovën për të avancuar axhendën brenda Shengenit Rajonal. Sepse Shengeni Rajonal në thelb është vendosja në zbatim e 4 lirive të Bashkimit Europian. Dhe e para është liria e lëvizjes. Domethënë që qytetarët të lëvizin mes shteteve pa pasur nevojë të ndalojnë në kufi fare. Dhe faktikisht kufiri bëhet inekzistent. Shengeni Rajonal e heq kufirin me të gjithë. Porti i Durrësit pa diskutim që do të jetë dhe Porti i Kosovës. Bujrum të jetë dhe Porti i Serbisë, s’ka problem fare, në sensin që kush do liri lëvizje të mallrave mund të përfitojë nga liria e lëvizjes së mallrave. Nuk mund të bësh ti 4 liritë e Bashkimit Europian edhe të thuash këtë lirinë do ta marr këtë lirinë s’do ta marr, ose këtë lirinë e dua për vete, po tjetrit nuk ja jap dot. Po serbët duhet ta harrojnë dot”.

Duke ju përgjigjur akuzës tjetër nga ministri serb i Mbrojtjes Vulin, i cili i konsideroi “vrasës” luftëtërat e UÇK-së, Edi Rama reagoi ashpër duke thënë se historia njeh vetëm njërën palë si pushtuese, që është Serbia e cila ka sulmuar Kosovën, dhe vrasësit janë akoma në Beograd.

“Sa për vrasësit e UÇK, unë jam shumë krenar që për arsye të fatit që e deshi që të jem në këtë pozicion e të merrem me politikë në këto vite, kam mundur t’i njoh dhe t’i kem miq. Edhe jam miku i tyre deri në fund në ditë të mira dhe në ditë të vështira. Dhe për mua ata janë çlirimtarë, nuk jaënë vrasës. Vrasësit ishin në Beograd, dhe vrasës ka akoma në Beograd. Sepse asnjë autoritet serb nuk mund dot ta kthejë përmbys historinë dhe ngado të rrotullohen këta personazhe që luajnë me historinë për të mbajtur peng të ardhmen, nuk e ndryshojnë dot një fazë shumë të thjeshtë. Nuk sulmoi Kosova Serbinë, dhe nuk sulmoi Prishtina Beogradin. Sulmoi Serbia Kosovën dhe sulmoi Beogradi Prishtinën”. /tvklan.al






Të ngjashme