Vrasja e afro-amerikanit, nuk ndalen protestat e dhunshme në SHBA
Vdekja e një afro-amerikani ka shkaktuar protesta të mëdha në disa qytete në SHBA. Dyqane dhe biznese janë djegur në Minneapolis, aty ku ndodhi edhe vrasja e George Floyd nga një oficer policie.
Guvernatori i Minnesota-s tha se vdekja e Floyd ka shkaktuar një shkatërrim të padëshirueshëm për vendin. New York, Atlanta dhe disa rajone të tjera përjetuan protesta të rënda për shkak të kësaj ngjarje. Ndërkohë Shtëpia e Bardhë u detyrua të mbyllej.
Në lidhje me vrasjen e Floyd është akuzuar polici 44-vjeçar Derek Chauvin. Ai duket në pamjet që u bënë virale menjëherë pas ngjarjes teksa mban gjurin në fytin e viktimës për 8 minuta. Polici pritet të dalë para gjykatës të hënën.
Këtë incident, Presidenti Trump e ka përshkruar si gjë shumë të tmerrshme. Çështja Floyd ka rikthyer zemërimin mes qytetarëve në lidhje me vrasjet e policisë ndaj amerikanëve me ngjyrë.
Minnesota mbetet rajoni më i dhunshëm. Protestuesit kundërshtuan shtetrrethimin të premten. Në shumë zona ishin të dukshme zjarret për shkak se ata u vinin flakën makinave. Gjithashtu janë shtuar vjedhjet.
Edhe në Washington D.C., pati protesta. Njerëzit u mblodhën përpara Shtëpisë së Bardhë me pankarta në duar dhe thërrisnin “Nuk marr dot frymë”, fjalët e fundit të George Floyd. Situata bëri që Shërbimi Sekret të mbyllte përkohësisht Shtëpinë e Bardhë.
Edhe në Atlanta u shpall gjendja e emergjencës në disa zona. Protestuesit shkatërruan ndërtesa dhe makina policie. Demonstrata janë bërë edhe në Dallas, Los Angeles dhe Oakland./tvklan.al