Vrasja e gjyqtares, reagon BE: Kjo ngjarje kërkon përgjigje nga institucionet
Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri ka dënuar vrasjen e gjyqtares Fildes Kasemi 39 vjeç, që u ekzekutua nga ish-bashkëshorti i saj Fadil Kasemi 53 vjeç.
Në një reagim në Twitter, BE thotë se mbrojtja e grave është përgjegjësi e shtetit dhe kjo ngjarje duhet të marrë përgjigje nga të gjitha institucionet.“Një tjetër viktimë e dhunës në familje. Mbrojtja e grave të kërcënuara është qartësisht një përgjegjësi e shtetit. Ajo kërkon një përgjigje të koordinuar nga institucionet përkatëse. Gratë nuk duhet të jetojnë me frikë për të bërë jetën që duan”,
shkruan BE. Fildes Kasemi ishte gjyqtare në Gjykatën e Shkodrës. Ajo u qëllua me pistoletë brenda makinës nga ish-bashkëshorti në zonën e "Xhamllikut" në Tiranë, sapo 39-vjeçarja kishte ndaluar automjetin e saj. Fildes Kasemi ishte nënë e dy fëmijëve dhe më parë kishte marrë disa urdhra-mbrojtje pasi ishte dhunuar nga ish-burri./tvklan.al