Vrasja e Kakamit dhe kushërinjve të tij – (10 Shtator 1999)


Vrasja e Kakamit dhe kushërinjve të tij – (10 Shtator 1999)

19:10 10/09/1999

Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Zbulohen identitetet e dy viktimave të tjera të atentatit më të fundit në Vlorë pas atij të Kakamit. 24 orë më parë kur hetuesi shqiptar Agim Tirana bëri të njohur zyrtarisht se në furgonin e blinduar në rrugën për në Babicë është identifikuar vetëm një nga skeletet që i përkiste Alfred Nebiut ose i njohur ndryshe me emrin Kakami. Sot pasi janë pyetur familjarët e Nebiut hetuesit konkluduan se dy skeletet e tjerë ju përkisnin dy kushërinjve të Kakamit, djemve të xhaxhait të tij, vëllezrit Fatos dhe Vladimir Nebiu.

38-vjeçari Fatos Nebiu dhe 35-vjeçari Vladimir Nebiu kanë qenë bashkë me Alfred Nebiun apo Kakamin në furgonin e blinduar që e përdorte Kakami. Pikërisht rrugës duke shkuar për në Babicë ku dhe jetonte së fundmi Kakami në një vilë të sapo ndertuar. Hetuesit thonë se furgoni i blinduar mund të jetë qëlluar që me herë të parë me anti-tank ku më pas ka shpërthyer duke zënë brenda dhe tre viktimat Nebiu.

Megjithatë po punohet dhe për zbulimin e pistave të tjera siç është ajo e vrasjes më parë me armë zjarri dhe më pas vënien zjarr të furgonit. Vetëm tre ditë pas vrasjes së bujshme hetuesit zbulojnë edhe pse me vështirësi pasi viktimave ju kishte mbetur skeleti identitetet e tyre.

Mbetet mister identiteti i vrasjeve dhe  shkaqeve të krimit të trefishtë. Megjithatë për këtë janë ngritur shumë pista që marrin fill që nga ditët e vështira të ’97, por dhe aktiviteti i viktimave pas daljes nga burgu të Kakamit. Pas funeralit të Kakamit dje pasdite, sot në Vlorë janë bërë dhe funeralet e dy kushërinjve të tij që u vranë njëkohësisht me të./tvklan.al

Gazetar – Eduart Frangaj






Të ngjashme