Vrasja e kosovarëve,ende nuk identifikohen vrasësit ( 16 Prill 1999)
Kosovarët viktima dhe në Shqipëri. Qytetet e Durrësit dhe të Lezhës 24 orët e fundit nga vendpritje të kosovarëve janë shndërruar në vende atentatesh ndaj tyre dhe viktimash. Mbrëmë vonë rreth orës 21:00 në bulevardin e Durrësit i është zënë pritë 35 vjeçarit kosovar Vait Kukaj. Një breshëri e gjatë kallashnikovi i ka marrë jetën atij në vend. Policia durrsake po heton, ndërkohë vrasësit nuk janë kapur ende.
Sipas uniformave blu pista kryesore është ndonjë konflikt i viktimës me patriotët e tij. Në kampin e Shëngjinit një atentat i ka marrë jetën një 44 vjeçari nga Deçani, Jonuz Myftari si dhe është plagosur një i afërm i tij. Sipas Policisë së Lezhës një kosovar i cili ka hyrë në Shqipëri nga kufiri me Malin e Zi, pasi ka mësuar se gjakësit e hershëm të familjes së tij ndodheshin në kampin e Shëngjinit ka marrë rrugën e gjatë duke i dhënë fund hakmarrjes së tij. Viktima Myftari babai i gjashtë fëmijëve është varrosur në varrezat e Shëngjinit./tvklan.al
Gazetar: Eduart Frangaj