Vrasja e shoferit të kryeministrisë – (7 Nëntor 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Një kapter i Gardës së Republikës qëllon për vdekje shoferin e një këshilltari të kryeministrit Meta. Gentian Hoxha 26 vjeç, shofer në kryeministri, vetëm pak kohë pasi kishte dalë me makinën e institucionit ka gjetur vdekjen pas një sherri me një person tjetër në një kryqëzim tek Tirana e Re.
Sipas drejtuesve të policisë së Tiranës, shoferi i këshilltarit juridik të kryeministrit Meta, pasi kishte dalë nga kryeministria, në një rrugicë tek Tirana e Re është përplasur me një makinë tjetër tip Audi, shoferi i të cilës mësohet të ketë qenë një kapter i Gardës së Republikës. Si pasojë e përplasjes së lehtë, gërvishten dy makinat dhe thyhet pasqyra e njërës. Kaq ka mjaftuar që dy shoferët të dalin dhe të nisin një sherr me njëri-tjetrin. Sherri më pas është acaruar sa kapteri i Gardës qëllon me plumb në kokë shoferin e kryeministrisë.
Kapteri i Gardës, emri i të cilit nuk bëhet i ditur është larguar nga vendngjarja dhe është në kërkim. Makina e tij tip Audi, pas aksionit të policisë është gjetur e braktisur diku pranë Vaqarrit. Vrasja e shoferit të këshilltarit të kryeministrit sot, pason vrasjen e një tjetër shoferi të këshilltarit për rend, në kohën e kryeministrit Majko dhe disa vrasjeve të tjera./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj