Vrasja e shqiptares në Amerikë/ Dëshmia e të dashurit në polici përpara se të vriste veten


Vrasja e shqiptares në Amerikë/ Dëshmia e të dashurit në polici përpara se të vriste veten

11:15 28/03/2018

Detektivët në Los Anxhelos të cilët po kërkonin studenten e zhdukur shqiptare, Adea Shabani, kanë gjetur një trup që besojnë se mund t’i përkasë Shabanit, të groposur në një zonë të kafshëve të egra në veri të Kalifornisë.  

25 vjeçarja, ishte zhdukur që nga pasditja e 23 Shkurtit, kur një kamera e sigurisë në banesën e saj ka regjistruar momentin kur ajo po merrte valixhen në një ashensor me të dashurin e saj. Miqtë dhe familja e saj nuk dëgjuan më për të, duke bërë që policia të ndërmerrte një kërkim që nisej nga Los Anxhelos në ultësirën e maleve Sierra në Kolorado.

Kërkimet përfunduan të martën. Përgjatë një gjiri të ngushtë në Spenceville, detektivët gjetën mbetjet e një trupi në një gropë në Nevada, rreth 20 kilometra në verilindje të Sacramento. Ndërsa trupi pritet të identifikohet, policia beson se mbetjet i përkasin vajzës shqiptare, tha komandant William P. Hayes i Departamentit të Policisë Los Anxheles, në një konferencë për shtyp.

Pasi miqtë e saj e raportuan atë të zhdukur më 25 Shkurt, policia u përqëndrua tek i dashuri i saj, Christopher Spotz, i cili u pa duke u larguar nga apartamenti me të. Sipas policisë, Spotz, 33 vjeç, i cili ishte i fejuar me një vajzë tjetër, u tha hetuesve se më 23 Shkurt ata ndaluan për një kafe në Hollywood dhe pastaj morën rrugën për në shtëpinë e babait të tij në një qytet jashtë Sacramentos.

Por udhëtimi i tyre u ndërpre vetëm disa milje jashtë Los Anxhelosit, tha Spotz për policinë. Ata kishin filluar të ziheshin, tha ai, dhe e kishte nxjerrë Shabanin nga makina në Santa Clarita, një qytet rreth 25 milje larg banesës së saj. Megjithatë, detektivët nuk gjetën shenja të Shabanit në Santa Clarita ose në Yuba County, ku jeton babai i të dashurit të saj.

Në fillim të Marsit, miqtë ende nuk kishin dëgjuar asgjë për studenten, e cila ishte lindur në Maqedoni ku edhe kreu shkollën e mesme. Sipas asaj që thuhet në profilin e saj në Facebook, ajo kishte studiuar në Universitetin Amerikan të Parisit, dhe më pas u zhvendos në Hollywood për të ndjekur karrierën e saj si aktore dhe modele. Ajo luajti një rol dytësor në një film të publikuar vitin e kaluar.

Në të njëjtën kohë në Mars, Spotz u largua nga Kalifornia me të fejuarën e tij për të shkuar në Kolorado. Departamenti i Policisë Los Anxhelos lajmëroi agjencitë e tjera të policisë se po kërkonin për Spotz dhe makinën e tij Toyota Tacoma.

Të enjten e kaluar, oficerët e policisë panë makinën e Spotz dhe u vunë në ndjekje të tij. Ata u përpoqën ta ndalonin, por Spotz u largua duke qëlluar veten e tij për vdekje në makinë.

Komandanti tha se pavarësisht kërkimeve intensive për Shabanin, ka shumë të ngjarë që ajo të kishte vdekur në të njëjtën ditë kur la apartamentin e saj ose mëngjesin e ardhshëm.

“Diçka ka ndodhur, dhe unë besoj se është diçka e keqe, është një veprim keqdashës”

, tha ai në konferencën për shtyp.

Komandanti Hayes nuk tregoi për mënyrën si ajo vdiq, megjithëse vuri në dukje se detektivët besojnë se Spotz ka gisht në vdekjen e saj, e cila është duke u hetuar si një vrasje.

“Unë besoj se ai ishte i përshirë në vrasje”

, tha ai.

Burimi: Matthew Haag, The New York Times 

Shqipëroi: tvklan.al 





Të ngjashme