Vrasja në Tiranë dhe mashtruesi (21 Shtator 1999)


Vrasja në Tiranë dhe mashtruesi (21 Shtator 1999)

12:17 21/09/1999

Uniformat blu të Komisariatit 2 të Tiranës saktësojnë detajet e vrasjes së një biznesmeni në Tiranë. Biznesmeni Albert Çeku 41 vjeç i vrarë dje në Tiranë ishte administratori i firmës “Denis” e cila merrej me eksport importin e artikujve të ndryshëm ushqimor dhe prodhimin e pijeve alkoolike të palicensuara me etiketa të firmave të njohura. Ai ishte me arsim të lartë ekonomist, i martuar me dy fëmijë. Policët e Komisariatit 2 po punojnë për zbardhjen e motiveve të atentatit dhe autorit të tij 18-19 vjeçar.

Ndër më kryesorët e motiveve mund të jetë vrasje e paguar për zotërimin e pijeve alkoolike të kryeqytetit. Siç dihet shumë firma të ndryshme në luftën e paskrupullt për fitim prodhojnë shumë pije jashtë çdolloj parametri dhe standartesh teknologjike por gjithashtu mendohet se vrasja mund të jetë kryer dhe për shkaqe të tjera. Ata po hetojnë të kaluarën e 41 vjeçarit Çeku.

Ndërkaq punonjësit e Komisariatit 3 në Tiranë kanë arrestuar një mashtrues valute. Dje rreth orës 18:00 para sheshit të Bankës së Shqipërisë, uniformat blu kanë arrestuar shtetasin Fation Spala 26 vjeç, i martuar dhe i dënuar një herë më parë për mashtrim. Gjatë konvertimit të valutës që ai i kishte bërë një shtetasi Spala e kishte mashtruar atë me datë 3 Shtator të këtiij viti me 4o mijë lekë të reja. Por ky nuk është rasti i parë i mashtrimit që ndodh në tregun valutor të Tiranës./tvklan.al






Të ngjashme