Vrasja në Vlorë, policia arreston njërin prej autorëve të dyshuar
Policia e Vlorës ka arrestuar njërin prej autorëve të dyshuar për vrasjen e Fation Sinanit, si dhe ka sekuestruar armën e krimit. Autori është me iniciale N.Q rreth 42 vjeç.
Ai u kap në dalje të lagjes “Partizani” duke u arratisur. Ndërkohë, policia ka ngritur pika kontrolli për kapjen e autorit të dytë, i cili ka mundur të largohet duke përfituar nga errësira.
Njoftimi i Policisë së Vlorës:
Rreth orës 22:10, në lagjen “Partizani” Vlorë pranë rrugës drejt Spitalit Rajonal, është vrarë me armë zjarri në banesën e tij shtetasi F.S., rreth 40 vjeç, i cili për pasojë ka gjetur vdekjen në vend.
Grupi hetimor ka shkuar menjëherë në vendngjarje duke kryer veprimet në lidhje me krimin e ndodhur.
Si rezultat i reagimit të menjëhershëm të policisë, në ndjekie të autorëve është bërë e mundur kapja dhe shoqërimi i njërit prej autorëve në dalje të lagjes “Partizani”, shtetasi: N.Q., rreth 42 vjeç, me të cilin po punohet për zbardhjen e ngjarjes.
Janë ngritur pika kontrolli në akset kryesore të qytetit me qëllim kapjen e autorit tjetër i cili ka mundur të largohet me shpejtësi duke përfituar nga errësira, pasi dyshohet se krimi është kryer në bashkëpunim.
Në vendngjarje, Policia ka sekuestruar armën e krimit- Pistoletë të llojit “Beretë”.
Ende nuk dihen motivet e ndodhjes së kësaj ngjarjeje por po punohet për zbulimin dhe sqarimin e tyre.
Vazhdojnë hetimet për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.