![](https://i0.wp.com/prova.tvklan.al/wp-content/uploads/2016/09/WhatsApp-Image-2016-09-17-at-8.58.57-AM-e1474096700612.jpeg?fit=345%2C387&ssl=1)
Vrasja për parcelat me kanabis, burg për një nga autorët
Gjykata e shkallës së parë në Shkodër la në burg Luvigj Bludaj, njëri nga vëllezërit e akuzuar për vrasjen e kushëririt të tyre Gjokë Arra, në Dukagjin.
Seanca gjyqësore në ngarkim të tij u zhvillua me dyer të mbyllura, pas kërkesës së avokatit mbrojtës Bujar Hoti. Ai e argumentoi kërkesen e tij me mosdaljen e informacioneve në media që mund të ndikojnë tek marrëdhëniet mes familjeve.
Ndryshe nga versioni i policisë, përpara togave të zeza ai ka rrëfyer se 50 rrënjë kanabis janë bërë burim konflikti. Bludaj ka pranuar se ka dëmtuar një parcelë me 50 rrënjë kanabis, për të cilat sipas tij, kujdesej Gjokë Arra, rrënjë këto të mbjella në afërsi të shtëpisë së tij.
“Parcelën e dëmtova nga frika e policisë pasi ishte afër banesës. Pas këtij veprimi, Gjoka më kërkoi të paguaj dëmin, për çka unë nuk kam pranuar, duke futur edhe ndërmjetësim nga pleqtë e fshatit. Ditën e ngjarjes me kërkoi sërish paratë e dëmit. Unë refuzova dhe ai tentoi të më godasë me kmesë dhe në vetëmbrojtje e qëllova me pistoletë”,
mësohet të ketë thënë Bludaj.
Ai ka mohuar përfshirjen e të vëllait, Çesk Bludaj në ngjarje, duke deklaruar se ai nuk ka qenë aty. Fshehja e tij ka ardhur nga frika e hakmarrjes.
Sipas verifikimeve në vendngjarje nga policia, vrasja ka ndodhur 50 metra larg një parcele me kanabis, për të cilën policia ende nuk ka dhënë asnjë informacion. Vetë Bludaj ka deklaruar se nuk ka pasur dijeni për atë parcelë.
Tv Klan