Vritet anëtari i bandës së Lushnjes
Enver Boriçi u ekzekutua në një lokal të qytetit
Një tjetër anëtar i bandës së Lushnjes është ekzekutuar mëngjesin e kësaj të shtune. Enver Boriçi 43 vjeç u qëllua me armë zjarri rreth orës 07:00, teksa po pinte kafe në lokalin në pronësi te tij, në lagjen ‘Kadri Qystri’ të Lushnjes.
Dëshmitarë okularë i thanë policisë se një person me maskë hyri qetësisht dhe qëlloi në drejtim të Boriçit.
Në lokal gjendeshin edhe persona të tjerë. Boriçi ka mbetur i vdekur në vend, ndërsa vrasësi është larguar me një makinë që e priste jashtë.
Enver Boriçi ka qenë i dënuar me 10 vjet burg për përfshirje në organizatë kriminale, shkatërrim të pronës me zjarr dhe dhunim të varreve.
Vëllai i tij Arben Boriçi është dënuar me burgim të përjetshëm dhe po e vuan dënimin në burgun e Peqinit.
Policia dyshon se ngjarja është e lidhur me një zinxhir vrasjesh që po ndodhin kohët e fundit në Lushnje, si përplasje mes disa bandave, për motive të ndryshme.
Hetimet janë përqëndruar në këtë pistë, por deri tani policia nuk ka shoqëruar asnjë të dyshuar.
Tv Klan