Vrasjet në Tiranë, Mit’hat Havari – (27 Shtator 1999)


Vrasjet në Tiranë, Mit’hat Havari – (27 Shtator 1999)

14:21 27/09/1999

Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Vrasja e ndodhur mbrëmë në qendër të Tiranës vulosi faktin që rendi në kryeqytet nuk vihet me njerëz të cilët nuk kryejnë vetë një aksion policie. Mit’hat Havari Drejtor i Policisë së Tiranes i emëruar nga Majko që nga emërimi i tij deri më sot nuk ka drejtuar një operacion të mirefilltë. Vrasjet në kryeqytet gjatë kësaj periudhe njohën një rritje të llahtarshme. Dhe Havari në vend që të vrasë mendjen dhe të mbledhë shefat e komisariateve të cilët nuk i quan si kolegë por si shërbëtorë e të kapin kriminelet, i hap luftë medias.

Incidenti i mbrëmshëm ku vetë Havari jo vetëm që dha urdhër të keqtrajtohen dhe të mos kryejnë misionin e tyre gazetarët, por ofendoi në mënyrë publike gazetarët e TV Klan, ishte rasti më i fundit i injorancës dhe brutalitetit të kolonelit më shkollë të mesme. Liria e fjalës zoti Havari është e njohur me ligj në të gjithë botën. Nëse Havari është nervozuar se vrasjet po i ndodhin nën hundë, kolegët e tij vijnë dhe i arrëstojnë brenda në territorin e tij, të kërkuarit nga policia, por dhe nëse ministri Poçi ka propozuar largimin e tij të gjitha këto nuk janë faji i medias, por i paprofesionalizmit të tij.

Për të shpëtuar sedren Havari vrapon sot për të dhënë intervista në Televizionin Shteteror duke përsëritur frazën e tij se punoj deri në 12 të natës. Mbrëmë Tirana është ndjerë si një Palermo e dytë. Vrasja tek Parku Rinia e të riut nga Vlora, Albert Papa por dhe të një shtetasi tjetër në periferi pak minuta më vonë risollen frikën e armëve dhe terrorit që nuk mund të largohet derisa në krye të Policisë të qëndrojnë të paaftë si Mit’hat Havari./tvklan.al

Gazetar – Eduart Frangaj






Të ngjashme