Vrau bashkëshorten, 35 vite burg për ish – gardistin
Admir Dervishi, ish – gardisti që vrau bashkëshorten e tij, Ida Dervishi është dënuar nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda me 35 vite burg.
Gjykata ka rikonfirmuar masën e dhënë më parë nga Gjykata për Krimet e Rënda. Kjo e fundit pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar, ndaj Dervishit iu ul dënimi me 1/3 dhe i shpëtoi burgimit të përjetshëm.
Krimi i rëndë që i mori jetën 28 – vjeçares ndodhi në prani të fëmijëve të mitur, 4 – vjeç dhe 8 – muajsh, në banesën e tyre në zonën e Kombinatit.
Mëngjesin e 6 Prillit, ish – gardisti qëlloi 4 herë me pistoletë në drejtim të Ida Dervishit, por vetëm një prej plumbave e kapi 28 – vjeçaren, që i mori dhe jetën.
Nëna e viktimës, Feride Spahia në një intervistë për Televizionin Klan sqaroi se konflikti kishte nisur pasi vajza e saj kishte marrë 30 mijë lekë të vjetra në llogarinë e Admirit për t’i blerë ushqim fëmijëve. Ajo rrëfeu se prej vitesh vajza e saj jetonte në dhunën e të shoqit.
Gjykata e Tiranës, në vitin 2013, kishte lëshuar për të ndjerën dy urdhëra mbrojtje, për shkak të dhunës me grushta dhe shkelma, si dhe kërcënimeve me armë të bashkëshortit Admir Dervishi. Por ajo kishte hequr dorë dhe ishte rikthyer të jetonte përsëri me burrin e saj për shkak të kërcënimeve të tij./tvklan.al