Vrau gruan në sy të fëmijëve, 35 vite burg për ish – gardistin
Admir Dervishi, ish – gardisti i cili në Prill të këtij viti vrau më armë zjarri bashkëshorten e tij, Ida Dervishi është dënuar me 35 vite burg.
Gjykata për Krimet e Rënda pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar të 29 – vjeçarit nga Tepelena, të cilit iu ul dënimi me 1/3, duke i shpëtuar burgimit të përjetshëm. Çifti prej vitesh kishte probleme për shkak të gjendjes së tyre ekonomike dhe xhelozisë. Ish - gardisti kishte vite që e keqtrajtonte bashkëshorten. Krimi i rëndë që i mori jetën 28 – vjeçares ndodhi në prani të fëmijëve të mitur, 4 – vjeç dhe 8 - muajsh, në banesën e tyre në zonën e Kombinatit. Mëngjesin e 6 Prillit, ish - gardisti qëlloi 4 herë me pistoletë në drejtim të Ida Dervishit, por vetëm një prej plumbave e kapi 28 – vjeçaren, që i mori dhe jetën. Nëna e viktimës, Feride Spahia në një intervistë për Televizionin Klan sqaroi se konflikti kishte nisur pasi vajza e saj kishte marrë 30 mijë lekë të vjetra në llogarinë e Admirit për t'i blerë ushqim fëmijëve. Ajo rrëfeu se prej vitesh vajza e saj jetonte në dhunën e të shoqit. Gjykata e Tiranës, në vitin 2013, kishte lëshuar për të ndjerën dy urdhëra mbrojtje, për shkak të dhunës me grushta dhe shkelma, si dhe kërcënimeve me armë të bashkëshortit Admir Dervishi. Por ajo kishte hequr dorë dhe ishte rikthyer të jetonte përsëri me burrin e saj për shkak të kërcënimeve të tij./tvklan.al