Vriten 20 ushtarë indianë gjatë përleshjeve me forcat kineze
Të paktën 20 ushtarë indianë janë vrarë në një përleshje me forcat kineze në rajonin e diskutueshëm të Kashmirit.
Pas 45 vitesh, kjo është hera e parë që vriten ushtarë në këtë zonë të diskutueshme të kufirit mes dy shteteve. Kjo situatë ka shkaktuar rritjen e tensioneve në këtë rajon.
India deklaroi se zyrtarë të lartë ushtarakë nga të dy palët ishin takuar për të zbutur situatën e tensionuar.
Ministria e Jashtme e Indisë akuzoi Kinën se ka shkelur marrëveshjen e arritur javën e kaluar.
Nga ana tjetër, Kina akuzoi Indinë se ushtarët e saj kaluan në anën kineze të kufirit.
Ministria e Jashtme kineze e konsideroi provokim nga ana e Indisë faktin që ushtarë të saj kishin kaluar dy herë kufirin gjatë ditës së hënë, duke shkaktuar përplasje fizike mes forcave kufitare të dy palëve.
Mediat vendase raportojnë se ushtarët indianë u rrahën për vdekje. Si India, ashtu dhe Kina, këmbëngulën se nga asnjëra palë nuk është qëlluar me armë. /tvklan.al