11:32 27/12/2013Ish-ministri libanez i financave, Mohamed Shatah, mbeti viktimë e një atentati në qendër të kryeqytetit të vendit, Bejrut, fare pranë godinës së qeverisë dhe asaj të parlamentit. Automjeti me të cilin ai udhëtonte shpërtheu rreth orës 8.40 të mëngjesit. Në këtë atentat mbetën të vrarë gjithashtu edhe 4 persona të tjerë, sipas burimeve nga inteligjenca libaneze. Po të njëjtat burime, konfirmuan se ai po shkonte në një takim të rëndësishëm.
Mbi 50 persona mbetën të plagosur në këtë ngjarje, e cila shton edhe më shumë pasigurinë në një vend me shumë probleme të natyrës sektare, si Libani. Disa automjete morën flakë, ndërsa një kafene dhe një restorant që ndodheshin në rrezen e shpërthimit u shkatërruan. Pak minuta pas atentatit, forcat e sigurisë u dislokuan në rrugët dhe kryqëzimet kryesore të Bejrutit.
Ish-ministri i përkiste komunitetit suni, një prej figurave kryesore të kësaj bashkësie që është kundër presidentit Bashar al-Asad në Sirinë fqinje. Ndërkohë, që dikatorin e Damaskut e mbështet, edhe ushtarakisht, lëvizja militante shiite Hezbollah. Shatah ishte kreu i Financave në periudhën 2008-2011 në qeverinë e drejtuar nga Saad Hariri, djali i ish-kryeministrit të vrarë në shkurt të 2005, Rafik Hariri.