
Vritet nga fqinji mjeku 40-vjeçar
Shkodra u trondit të premten në mbrëmje nga një ngjarje e rëndë. Një konflikt i çastit mes dy fqinjëve të një godine në lagjen “Qemal Stafa” përfundoi me një të vdekur. Mjeku 40-vjeçar, Ilir Alija u vra me armë nga komshiu i tij Dritan Ymeri në sy të bashkëshortes dhe djalit 16-vjeçar.
Gjithçka kishte nisur për shkak të një ndërtimi që mjeku 40-vjeçar po kryente në tarracën e përbashkët të ndërtesës.
Sipas dëshmitareve okularë, mjeku Alija dhe autori kishin debatuar ashpër më herët. Sherri verbal përfundoi me përdorimin e armës nga 26-vjeçari, i cili qëlloi me tre plumba fqinjin e tij duke e lënë të vdekur në vend. Viktima u trasportua drejt morgut me ambulancë, e cila pësoi një defekt në nisje. U desh ndihma e banorëve të cilët shtynë mjetin për ta ndezur serish.
Dritan Ymeri pas krimit u largua drejt zonës së Ish-Dekorit.
Fillimisht u mendua se autori i vrasjes ndodhej në godinë, ku në ndihmë të forcave të Shkodrës erdhën edhe forcat Speciale RENEA. Pas kontrollit të godinës dhe banesës së 26-vjecarit rezultoi se ai ishte larguar sapo kishte kryer vrasjen.
Fqinjët kanë qenë ata që njoftuan policinë ndërsa sipas tyre konfliktet mes viktimës dhe autorit kishin qenë të shpeshta për shkak të godinës 3-katëshe në të cilën jetonin të dy.
/Tv Klan