Vritet nga policia i shumëkërkuari i Hasit (20 Gusht 2000)


Vritet nga policia i shumëkërkuari i Hasit (20 Gusht 2000)

15:59 20/08/2000

Vritet nga policia një person i shumë kërkuar. Ramiz Dauti është vrarë sot në Golaj të Hasit pasi ka qëlluar mbi policinë e cila e kishte rrethuar. I shumëkërkuari nga policia kuksiane, i riu nga Hasi në vitin 1997 kishte vrarë dy bashkëfshatar të tij dhe që atëherë i fshihej drejtësisë.

Me një sinjalizim nga agjentët për vendndodhjen e tij, forcat speciale të ndodhura në Kukës prej ditësh dhe ato të policisë së rrethit, rrethuan sot rreth orës 05:00 të mëngjesit shtëpinë e Dautit në Golaj. Thirrjes së policisë për t’u dorëzuar ai i është përgjigjur me një breshëri automatike. Në këto kushte forcat e policisë janë detyruar t’i kundërpërgjigjen me zjarr dhe si pasojë vritet vetë i shumëkërkuari i policisë.

Pas asgjesimit të tij, policia prangosi të vëllanë e viktimës me akuzën kundërshtim të policisë dhe armëmbajtje pa leje. Drejtori i policisë së Kukësit pas këtij aksioni tha se nuk do të tolerojë asnjë që shkel mbi ligjin./tvklan.al

Gazetar: Eduart Frangaj






Të ngjashme