Vritet nga RENEA Fatmir Hakaj – (11 Nëntor 2000)


Vritet nga RENEA Fatmir Hakaj – (11 Nëntor 2000)

21:31 11/11/2000

Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Vritet nga policia i fundmi i Hakajve. Fatmir Hakaj, pjestar i familjes së njohur të Niklës, ka mbetur i vdekur sot. Pas thirrjeve të policisë, për t’u dorëzuar ai i është kundërpërgjigjur me armë zjarri. Forcat speciale RENEA të Ministrisë së Rendit, sot rreth orës 5 të mëngjesit, pas informacioneve paraprake, rrethuan shtëpinë e Bujar Vogës, në fshatin Halil, ku Hakaj strehohej prej ditësh.  

Operacioni sekret është ndërmarrë nga policia, pasi Fatmir Hakaj, akuzohej për tre vrasje të bëra në Fushë Krujë. Thirrjes së RENEA-s për t’u dorëzuar, Hakaj i është kundërpërgjigjur me shpërthimin e një granate dhe zjarr automatiku drejt policëve. Si pasojë vritet vetë Fatmir Hakaj, vrasja e të cilit çon në 13 numrin e viktimave nga fisi Hakaj, si pasojë e përplasjes me policinë, gjakmarrje te ndryshme, por dhe vrasje aksidentale.

Pas eleminimit të Hakës nga RENEA, forcat speciale arrestojnë dhe Bujar Vogën, i zoti i shtëpisë, ku strehohej Haka. Pak çaste më vonë, i ati i tij Zenel Voga vdes nga një infarkt në zemër./tvklan.al

Gazetar – Eduart Frangaj  






Të ngjashme