Vuçiç: Nuk do ta njohim Kosovën, por do bëjmë kompromise
Nuk u la të vizitonte banorët serbë të fshatit Banjë. Ndaj dhe Presidenti serb Aleksandër Vuçiç e dha nga Mitrovica Veriore mesazhin e tij se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
“Me javë e muaj përsërisin që dikush të pranojë pavarësinë e Kosovës. Por ju them këtu të gjithëve ju, se kjo është gënjeshtër dhe nuk do të ndodhë. Nuk dëshirojmë të ndryshojmë kufijtë, por vetëm të drejtat e serbëve këtu në Kosovë. Për këto të drejta do të bëjmë kompromise.”
Vuçiç ripërsëriti edhe një herë qëndrimin e tij se kërkon një marrëveshje që do të sjellë përfundimisht paqen mes shqiptarëve dhe serbëve, për të stabilizuar jo vetëm Kosovën por gjithë rajonin.
Mëngjesin e të dielës, në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, Vuçiç kishte planifikuar të vizitonte serbët e fshatit Banjë në veri-perëndim të vendit. Por qindra banorë të Skënderajt dhe zonave përreth i bllokuan rrugën kreut të shtetit serb, me barrikada të cilave u vunë flakën.
Kryeministri Ramush Haradinaj njoftoi përmes Facebookut se ishte detyruar të anulonte lejen për vizitën e presidentit serb në Banjë, për shkak të rreziqeve që i kanoseshin atij, por edhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës. Vendimin e Haradinajt e mbështeti edhe Presidenti Hashim Thaçi, por nënvizoi se bllokimi i rrugëve nuk ndihmon procesin e paqes mes dy vendeve.
Në manifestim morën pjesë banorë të Drenicës, pjesëtarë të shoqatave të veteranëve të luftës së UÇK-së si dhe kreu i komunës së Skënderajt, Bekim Jashari.
“Nuk mund të kalojë presidenti i Serbisë, pa kërkuar falje për masakrat që kanë ndodhur gjatë viteve ’98-’99. Ne në Kosovë kemi 15 mijë të vrarë, 1600 të zhdukur”, tha Bekim Jashari, Kryetar i Komunës Skenderaj.
Ndërsa zëdhënësja e Komisionit Europian, Maja Koçijançiç, kritikoi pengesën që iu bë presidentit serb për të vizituar fshatin Banjë, duke kërkuar angazhim të plotë për paqen dhe sigurinë e komunitetit serb në Kosovë.
Tv Klan