Wenger nuk ka ndërmend të dorëhiqet
Arsene Wenger beson se është personi i duhur për të ndihmuar Arsenal që të ecë përpara. Këtë i ka thënë bashkëpunëtorëve të tij sipas gazetës “The Times”. Trajneri francez që drejton Topçinjtë e Londrës prej vitit 1996 nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen duke synuar të mbyllë kontratën që është e vlefshme deri në 30 Qershor të 2019.
Arsene Wenger është kundërshtuar vazhdimisht nga tifozët për rezultatet e arritura nga skuadra dhe duket se mënyra e vetme që ai të largohet është shkarkimi nga drejtuesit e klubit. Në media qarkullojnë edhe emra që mund të jenë pasuesit e Wenger, nëse merret një vendim për ta larguar.
Massimiliano Allegri, Maurizio Sarri, Brendan Rodgers apo edhe ish-sulmuesi, Thierry Henry, që nuk do tërhiqej nëse do të merrte një ofertë. Arsenal është larg objektivit për të marrë pjesë në Champions League sezonin e ardhshëm, pasi renditet në vendin e gjashtë 33 pikë nga Manchester City kryesues.
Tv Klan