Xhaçka: Në 20 vjet u asgjësuan 55 mijë ton municione
Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ishte sot mes efektivëve të kompanisë së asgjësimit të lëndëve shpërthyese me rastin e 20-vjetorit të krijimit.
Në këto dy dekada kjo strukturë ka asgjësuar mbi 55 mijë ton municione dhe ka pastruar mbi 1 mijë hektarë sipërfaqe me municione të rrezikshme.
Ministrja Xhaçka u ndal dhe te ngjarja më tragjike në Shqipëri sa i përket asgjësimit të municioneve, shpërthimit në Gërdec, ku humbën jetën 27 persona.
“Kjo ngjarje na kujton të gjithëve edhe njëherë se sa e rëndësishme dhe e pazëvendësueshme është kjo kompani dhe sa të rrezikshme janë pasojat, nëse kjo trashëgimi municionesh e armësh lihet në mëshirë të fatit, apo akoma më keq, në mëshirë të korrupsionit dhe abuzimit siç ndodhi në Gërdec në 15 Mars të vitit 2008”,
u shpreh ministrja.
Tv Klan