Xhaçka shkrin bazën e Pashalimanit
Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhacka shkarkoi të gjithë drejtuesit e bazës së Pashalimanit dhe forcës detare. 15 oficerët janë ndëshkuar pas vjedhjes së armëve, ngjarje e ndodhur më 10 Janar. Sipas ministres, për këtë ngjarje të rëndë përgjegjësi është edhe Gjeneral Major Ylber Dogjani, komandant i Forcës Detare.
Xhaçka i kërkon Presidentit Meta shkarkimin e tij. Përgjegjësia e këtyre personave doli nga hetimi administrativ i nisur për të gjithë linjën e drejtimit në Forcën Detare si dhe në bazën e Pashalimanit. Sipas hetimit të kryer nga Shtabi i Përgjithshëm, përgjegjësia për masat e sigurisë në bazën detare i ngarkohet komandantit të Forcës Detare, komandantit të bazës dhe të gjithë linjes së komandimit.
Ndërsa të arrestuar për këtë ngjarje janë katër ushtarakë ta bazës detare, dy roje dhe dy përgjegjës të tyre. Lesko Marosaçaj, Edlir Nela, Ervis Memsulaj dhe Ardit Ramaj akuzohen për shpërdorim detyre dhe dëmtim të sendeve ushtarake. Sipas prokurorisë, në bazë u moren 2 armë, 80 granata dhe mijëra fishekë.
Tv Klan