Xhafaj: 63% e qytetarëve kanë besim tek Policia e Shtetit


Xhafaj: 63% e qytetarëve kanë besim tek Policia e Shtetit

10:24 05/07/2018

“Besimi i qytetarëve është i dukshëm duke parë sondazhet. 63% e qytetarëve kanë besim tek Policia”.

Kështu është shprehur ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj i pranishëm në aktivitetin “Forca e Ligjit në veprim e arritjet dhe sfidat”.

Gjatë fjalës së tij, ministri tha se në një vit punë janë arritur rezultate shumë të mira edhe pse ka ende për të bërë. Sipas tij Shqipëria ka dalë nga harta e vende të kanabisit.

“Siguria dhe rendi publik janë prioritetet kyçe. Puna për të ngritur shërbimin e Policisë së Shteti në nivelin ku është sot, serioziteti, përkushtimi ka sjellë rezultate të spikatura dhe të njohura tashmë kundër krimit të organizuar. Nxjerrja e Shqipërisë nga harta e vende të kanabisit, numri i veprave penale janë në nivele më të ulëta historike, përfshi këtu numrin e vrasjeve dhe aksidenteve. Operacioni Forca e Ligjit është një çështje e certifikuar. Në saj të saj janë goditur disa grupe kriminale dhe disa të tjera janë në hetim e sipër. Për të arritur këto rezultate është dashur shumë punë. Jemi krenarë që në zbatim të ligjit ja kemi dalë. Gjithçka është para së gjithash meritë e punës së bashkëpunëtorëve të mi, burra dhe gra, djem dhe vajza që kanë punuar orar dhe pa orar”.

Xhafaj tha se Policia e Shtetit ka hartuar një draft për masat që do të ndërmerren deri në Qershor të vitit 2019 në kuadër të luftës së krimit të organizuar dhe falë bashkëpunimit me agjencitë e huaja shumë grupe kriminale janë goditur.

“Prej kohësh po bashkëpunojmë me agjenci të rëndësishme si FBI, Interopl, etj për të goditur grupet kriminale. Vlerësimet e pasqyruara në datë 28 Qershor janë pozitive dhe na inkurajojnë si dhe rekomandimet janë për të vazhduar në rrugën e nisur. Ne jemi duke i lexuar me shumë vëmendje dhe përgjegjshmëri. Kemi përgatitur një plan të posaçëm veprimi deri në Qershor të vitit 2019. Ky dokument është një draft dhe do të bëhet i plotë duke marrë parasysh dhe mendimet tuaja. Lufta kundër krimit të organizuar kërkon angazhim, punë, përkushtim dhe sakrifica njerëzore. 

Xhafaj i bëri thirrje politikës që të lerë mënjanë komentet negative, përsa i përket Policisë së Shtetit.

Politika e pozicionuar përballë Policisë, duhet  të vlerësojë punën e tyre. Kjo politikë me papërgjegjshmëri sulmon Policinë, edhe kur rezultatet e operacioneve janë të mëdha. Mirëpresim dëshmi konkrete, 

u shpreh Xhafaj.

/tvklan.al






Të ngjashme