Ministri Seehofer: Gjermania, dritë jeshile për Shqipërinë
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj u prit sot në Berlin, në një takim të veçantë nga homologu i tij, Ministri i Brendshëm Federal i Gjermanisë, Horst Seehofer.
Takimit të delegacioneve përkatëse, i parapriu një bisedë miqësore dhe konstruktive kokë më kokë e të dy ministrave. Që në krye të herës, Seehofer, në cilësinë e Ministrit të Brendshëm Federal, por edhe si President i Partisë CSU, deklaroi se “
i ka dhënë dritën jeshile Kancelares Federale dhe Ministrisë së Jashtme për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE”
.
Në referim të mbështetjes së vazhdueshme të Gjermanisë ndaj vendit tonë, Ministri Xhafaj evokoi veprimtarinë e ish-kryeministrit të Bavarisë, Franz Josef Strauss i cili, rreth 35 vjet më parë bëri përpjekje për t’i hapur Shqipërisë një dritare drejt Evropës.
“
Sot, me progresin e gjithanshëm, është momenti i duhur që Gjermania të jetë në pararojë të shteteve që mbështesin Shqipërine në rrugëtimin e saj për t´ju bashkuar familjes evropiane”
, u shpreh Ministri Xhafaj.
Gjatë takimit, të dy ministrat diskutuan mbi çështjet aktuale si: migracioni i paligjshëm, çështjet e menaxhimit dhe kontrollit të kufirit, si dhe atë të azil kërkuesve shqiptarë në Evropë.
Gjithashtu, Ministri Xhafaj njohu Ministrin Seehofer me arritjet dhe progresin që ka bërë Shqipëria në rrugën e integrimit evropian, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar, luftën kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Në këtë kontekst, Ministri Xhafaj evidentoi bashkëpunimin e shkëlqyer me Gjermaninë dhe veçanërisht me autoritet policore gjermane, i cili ka rezultuar në hetime dhe operacione të përbashkëta të suksesshme, si dhe me një numër operacionesh të përbashkëta që janë në proces.
Më tej Xhafaj u ndal te problematikat që lidhen me luftën kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit.
Ministri Seehofer shprehu, veç të tjerash, interes në lidhje me reformën në drejtësi dhe procesin e Vetting-ut në Polici, duke përgëzuar për hapat që po hidhen në këtë drejtim, gjë që do të çojë në konsolidimin e sistemit të drejtësisë në vendin tonë.
Ministri Xhafaj i prezantoi homologut të tij, një plan me 10 pika, i cili parashikon fushat e bashkëpunimit në nivel institucional dhe operacional.
Të dy ministrat ndanë të njëjtin mendim se implementimi i këtij plani do të ndikojë në konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve tona.
Ministri Seehofer e priti me shumë kënaqësi dhe entuziazëm këtë propozim dhe garantoi se “
shumë shpejt do të njiheni me veprimet tona konkrete në lidhje me këto çështje”.
Në vijim, në funksion të thellimit të bashkëpunimit, Ministri Xhafaj u shpreh se
“tashmë mes nesh ekziston besimi i duhur, ndaj i kërkojmë Gjermanisë të monitorojë dhe të mbështesë realizimin e objektivave dhe prioriteteve të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit”.
Në mbyllje të takimit Ministri Xhafaj e ftoi homologun Seehofer për një vizitë zyrtare në Tirane, ftesë që u prit me shumë kënaqësi nga ky i fundit.
Seehofer u shpreh se
“do të bëjmë të gjitha përpjekjet që bashkëpunimi mes dy vendeve tona të konkretizohet më tej
” dhe shtoi se shumë shpejt do të jetë në Tiranë.
/tvklan.al