Xhafaj me Interforze: Urgjente nisja e operacioneve të përbashkëta kundër kanabis
Në një takim që zhvilloi me drejtuesit e misionit italian Interforce, Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj theksoi nevojën urgjente të nisjes së operacioneve të përbashkëta në luftën kundër kultivimit të kanabisit në të gjithë territorin e Shqipërisë, si dhe për goditjen e grupeve kriminale në këtë fazë.
Delegacioni kryesohej nga Gjeneral Gennaro Capoluongo, Drejtor i Shërbimit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Policisë italiane, zv/Drejtorin e Shërbimit të bashkëpunimit Ndërkombëtar të Policisë Italiane, Kolonel Sandro De Angelis, Drejtuesin e Zyrës Ndërlidhëse Interforze, Giovanni Conti, si dhe Drejtuesin e Misionit PAMECA IV, Giorgio Butini.
Në një njoftim të shpërndarë për mediat thuhet se Ministri Xhafaj parashtroi prioritetet e detyrës së tij, si dhe falenderoi palën italiane për kontributin e vazhdueshëm që jep për vendin tonë, veçanërisht mbështetjen ndaj strukturave të Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar.
Nga ana e tij, Gjeneral Capoluongo mësaohet se vlerësoi pozitivisht prioritetet e prezantuara dhe bashkëpunimin shumë të mirë që ka pasur në këto vitet e fundit me autoritetet shqiptare.
Ai ritheksoi se Italia do ta mbështesë Shqipërinë në çdo hap dhe me të gjitha mjetet e nevojshme për përmbushjen e angazhimeve, të cilat janë me interes të përbashkët.
U diskutua gjithashtu, nevoja për intesifikimin e shkëmbimet të informacionit në kohë reale dhe pjesëmarrja në hetime të përbashkëta, në mënyrë që lufta kundër kriminalitetit të jetë sa më efikase dhe e koordinuar.
Gjeneral Capoluongo, shprehu gadishmërinë edhe për organizimin e trajnimeve të përbashkëta në nivel ekspertësh nga pala italiane, me qëllim rritjen e profesionalizmit në kryerjen e hetimeve nga ana e Policisë së Shtetit me standardet më të larta evropiane.
Në takim, thuhet më tej në njoftim u shpreh vullneti për konkretizimin dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet strukturave policore të të dy vendeve./tvklan.al