Xhafaj sfidon opozitën: Provoni akuzat tani që nuk do jem ministër


Xhafaj sfidon opozitën: Provoni akuzat tani që nuk do jem ministër

18:26 27/10/2018

Ministri i dorëhequr i Punëve të Brendshme, Fatmir Xhafaj ka sfiduar pasditen e së shtunës opozitën dhe të gjithë ata që e akuzuan për lidhje me krimin të provojnë akuzat e tyre tani që ai nuk do të jetë më ministër.

“Opozita me komentet për dorëheqjen time konfirmon edhe një herë degradimin e saj politik. Fatkeqësi për ata vetë, por edhe për qytetarët. I sfidoj ata e cilindo, tanimë që nuk do të jem më Ministër të provojnë akuzat e bëra ndaj meje si Ministër”,

shkroi Xhafaj në disa postime në rrjetet sociale.

Në përgjigje të të gjithë komenteve ndaj dorëheqjes së tij, Xhafaj tha se “koha do të mbetet gjykatësi më i mirë për cilindo.

Përbuz shpifjet e komentet neveritëse të kujtdo që s’mund të kuptojë dot se ka dhe njerëz në politikë që mund të jenë të lirë e vetvetja, në çfarë mendojnë e çfarë bëjnë. Ligësinë e pafytyrësinë e tyre thjesht e neveris me heshtjen time. Koha mbetet gjykatësi më i mirë për cilindo.

Xhafaj nuk harroi të falënderonte të gjithë ata që e kishin mbështetur.

Ju jam sinqerisht mirënjohës për këto mesazhe inkurajuese. I siguroj të gjithë se dorëheqja ime është tërësisht me vullnetin tim të lirë dhe e bazuar në principe dhe vlera njerëzore e institucionale. Ajo është tërësisht respekt për veten, e për këto standarde të shenjta për mua. Këto orë kam marrë me qindra sms vlerësimi e respekti për punën e bërë, nga qytetarë të vendit tim, por dhe miq e partnerë me të cilët punova. Një pjesë e madhe nga socialistë, që kam bërë rrugë të gjatë në jetën time. Shumica dërrmuese e mesazheve nga njerëz të panjohur prej meje.

”/tvklan.al






Të ngjashme