Xhaka zgjat kontratën me Bazelin, e rinovon deri në vitin 2021
Taulant Xhaka ka zgjatur qëndrimin te Bazeli. Kontrata e mesfushorit të Kombëtares përfundonte në vitin 2018, por drejtuesit e klubit i ofruan zgjatjen e bashkëpunimit deri në vitin 2021, me të drejtën e rinovimit për një tjetër vit.
“FC Bazeli është shumë i lumtur që mund t’i besojë përsëri cilësisë dhe shërbimit që ofron ky lojtar thelbësor”,
shkruhej në njoftimin e klubit zviceran.
Xhaka ishte përfolur për një kalim të mundshëm në kampionatin italian apo në Bundesligë, ku Borusia Mynshengladbah kishte shfaqur interes.
Lojtari ka deklaruar në të kaluarën se ndihej mirë te kampionët e Zvicrës dhe se nuk e përjashtonte mundësinë që të luante aty gjatë të gjithë karrierës.
Mesfushori i Kombëtares u bë pjesë e ekipit të parë të Bazelit në vitin 2010. Janarin e vitit 2012, ai u huazua për një vit e gjysmë te Grasshoper dhe arriti të fitonte menjëherë një vend si titullar.
Nga sezoni 2013-2014 ai është kthyer përsëri te Bazeli, ku regjistron 134 ndeshje kombëtare e ndërkombëtare, si dhe 6 trofe të fituar (5 tituj Kampion dhe 1 Kupë të Zvicrës).
Tv Klan