Xhorxh Bush, Presidenti i ri i SHBA-së (8 Nëntor 2000)


Xhorxh Bush, Presidenti i ri i SHBA-së (8 Nëntor 2000)

11:47 08/11/2000

Përfundimi i votimeve në SHBA i ngjan një ndeshje boksi të dy të mëdhenjve ku askush nuk e di rezultatin dhe as se kur bie gongu. Kështu ndodhi gjatë gjithë fushatës, kështu ndodhi dhe në votim. Javët e fundit herë Bush dhe herë Algor dilnin në krye të sondazheve, por me një diferencë shumë të vogël pikësh nga njëri-tjetri. Edhe sot pas mbylljes së kutive nuk dihej se kush ishte më përpara. Kjo ndarje simetrike e elektoratit amerikan bëri që sytë të drejtoheshin tek ata që quhen zgjedhësit e mëdhenj.

Në bazë të numrit të popullsisë çdo shtet zgjedh një kolegj i cili më 18 dhjetor do të rivotojë presidentin. Pra meqë asnjë nga kadidatët nuk e mori drejpërdrejt përkrahjen e shumicës prej amerikanëve, filloi beteja për të marrë 270 vota të zgjedhësve të mëdhenj që matematikisht është dhe shumica e votave për t’u zgjedhur president. Në orët e para të mëngjesit amerikanët numëronin me gjak të ngrirë çdo votë që i shtohej secilit kamp. Në orën 02:33 të mëngjesit, 08:33 më orën tonë, u njoftua se republikani Bush ishte presidenti i ri i SHBA-së.

Pak më vonë vjen lajmi se duhen rinumëruar votat në Florida. Në historinë e SHBA-së ka patur 3 raste ku president është zgjedhur kandidati që ka marrë më pak vota se tjetri. Kështu mund të ndodhë dhe këtë radhë. Kjo mundësi u diskutua dhe për zgjedhjet e djeshme. Vërtetë Algor mund të ketë marrë më shumë vota të drejpërdrejta, por Bush falë sistemit mazhoritar, mund t’ja kalojë atij duke patur shumicën e zgjedhësve të mëdhenj./tvklan.al

Gazetare: Fjodora Fjora






Të ngjashme